Një operacion masiv i Policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda në bashkëpunim me agjencitë partnere, kanë kryer 15 arrestime në Shqipëri, disa vende të BE-së dhe Turqi, duke shkatërruar një rrjet të madh të trafikut të lëndëve narkotike.

Operacioni është zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë ku janë arrestuar 15 trafikantë, ndërsa në vendet e Europës kanë rënë në pranga 4 të tjerë.

Mësohet se grupi kriminal ishte i lidhur me super-trafikantin e arrestuar në muajin mars në Turqi, Met Kanani, i cili akuzohet se ka trafikuar nga Shqipëria, përmes Greqisë dhe Maqedonisë në drejtim të vendit turk tonelata me kanabis dhe droga të forta si kokainë e heroinë.

Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme droge si dhe janë bllokuar disa asete pasurore ndër to edhe automjete luksoze.

Identifikohet një nga të arrestuarit
Kolain Hasha është një prej personave të arrestuar në një qytet të Shqipërisë si pjesë e grupit të Met Kananit të cilët trafikonin kanabis nga Shqipëria në drejtim të Turqisë.

Grupi kriminal hetohej në Shqipëri nga prokurorja Elisabeta Imeraj
Operacioni për arrestimin e 15 personave në disa qytete të Shqipërisë, është kryer pas urdhrit të prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj e cila ka hetuar prej një kohe të gjatë, prej afro 8 muajsh, aktivitetin kriminal të grupit.

Mësohet se operacioni është kryer në disa qytete të jugut të vendit, ku kanë rënë në pranga 15 persona. Detaje të tjera priten orët në vijim, pasi operacioni vijon ende. Më herët jashtë vendit është bllokuar një sasi e konsiderueshme kanabisi.

Operacioni vijon për identifikimin dhe arrestimin e të tjerë personave të lidhur me grupin kriminal të trafikut të drogës.

Artikulli paraprakMESI: QYTETARËT OPOZITA E VËRTETË E QEVERISJES TONË
Artikulli tjetërINTEGRIMI, MINISTRI GJERMAN NË TIRANË: OPOZITA TË MARRË PËRGJEGJËSI, THELLONI REFORMAT