Partia Socialiste ka reaguar zyrtarisht pas video dëshmisë së superdëshmitarit Albert Veliu, të cilin PD e quante ‘bashkëpunëtori X’ në përgjimin e pretenduar me Agron Xhafajn.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e ka quajtur një mashtrues të rëndomtë dëshmitarin Albert Veliu, ndërsa ka deklaruar se regjisori dhe organizatori i gjithë këtij sulmi është vetë kreu i PD, Lulzim Basha.

Sipas tij, PD po përdor një skemë kriminale dhe mafioze për të rrëzuar qeverinë, ndërsa i bën thirrje urgjente Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen.

Balla theksoi se superdëshmitari i PD duhet të merret menjëherë si i pandehur, ose të merret në mbrojtje nga Krimet e Rënda, duke shtuar se demokratët e kanë paguar superdëshmitarin Veliu.

Asnjëherë deri më sot nuk ishte parë që një parti politike të humbiste kaq rëndë arsyen, sa të përfshihej në një skenë kriminale mafioze.

Deri dje kemi besuar se interesa të caktuara të grupeve kriminale apo të intrigantëve të ndryshëm kishin shfrytëzuar interesin legjitim të një opozite, të PD, për të gjetur dhe denoncuar fakte nga më të ndryshmet që ndikon për keq në imazhin e qeverisë.

Kemi menduar se naiviteti i Bashës ka bërë që kjo parti të përfshihej në një skenë të pastër të shantazhit kundër ministrit përgjegjës për luftën kundër krimit.

Ajo që ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qenë në bashkëbisedimin e publikuar nga PD mes tij dhe vëllait të ministrit është tregues i shndërrimit të një partie në një organizatë të rrezikshme, që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të saj.

Lulzim Basha është autori, regjisori dhe aktori i video përgjimit të montuar, me të cilin ka shpresën e fundit për të bllokuar vendimin për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE.

Si drita e diellit duket që ai ishte një mashtrues tepër i rëndomtë i dënuar për disa vepra penale. Ajo që duhet të sjellim në vëmendje është fakti se është e rrezikshme për fatin e demokracisë sonë skema dhe metoda që ka përdorur PD.

Ky është një inskenim mafioz. PS do ti shkojë deri në fund këtij shantazhi kundër shtetit, duke kërkuar hetim të plotë penal ndaj këtij mashtrimi të prodhuar në zyrat e PD.

Një skenë tepër e rënduar kriminale, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, që pranon publikisht se është përdorur nga PD në këtë inskenim, duhet të përballet menjëherë me drejtësinë, bashkë me regjisorin e tij.

Ky person duhet të merret menjëherë i pandehur, ose meqë PD pretendon dhe e konsideron dëshmitarin e vet, ai duhet të merret në mbrojtje nga Krimet e Rënda. E kanë paguar, madje kanë tentuar ta largojnë jashtë territorit të Shqipërisë.

Ky është një sulm i rrezikshëm kund institucioneve të shtetit. Prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe me sa më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund çështjes. Jemi përpara një skandali tepër të madh.