“Doja të krijoja një aplikacion të thjeshtë dhe të përdorshëm nga të gjithë, i dobishëm për këdo që dëshiron të jetë i integruar, duke shmangur burokracitë e ngadalta dhe të mundimshme.”

Kështu është shprehur në një intervistë për median italiane “ilsole24ore.com”, i riu shqiptar nga qyteti i Fierit, Ermir Lushnjari, i cili që prej 20 vitesh jeton në Itali, pas mbërritjes atje me një gomone. Ermiri, prej vitit 2011 është shtetas italian dhe punon si asistent ligjor në pozicionin avokat, në zonën e Verbanias.

Ai tregon se si i lindi ideja për të krijuar një program në përdorim falas që ndihmon shtetasit e huaj të fitojnë nënshtetësinë italiane. Ky aplikacion i quajtur “Çaj Mali” bën një vit që nga krijimi dhe sot numëron 6 mijë përdorues nga 70 vende të botës.

“Në rrugëtimin tim për t’u bërë italian – thotë Ermiri – u përballa me funksionimin jo gjithmonë të menjëhershëm të burokracisë italiane. Dhe më pas kuptova se ka shumë të huaj në rrjet që kërkojnë informacion mbi lejet e qëndrimit dhe shtetësinë në forume pa marrë përgjigje të kualifikuar. Kjo është arsyeja pse, një vit më parë, mendova të krijoja një mjet të veçantë për t’i ndihmuar këta përdorues”, shpjegon ai.

Si funksionon “Çaj Mali”, programi që Ermiri zgjodhi ta emërtojë në gjuhën shqipe, ashtu sikurse një pije që është e përdorshme dhe e preferuar nga të gjithë?

Së pari, aplikacioni ofron informacione se si dhe ku mund të aplikojnë shtetasit e huaj për shtetësinë, duke ravijëzuar edhe të dhëna mbi legjislacionin që i referohet kësaj teme.

Gjithashtu u lejon përdoruesve të monitorojnë ecurinë e praktikës së tyre pa shkuar në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme, por drejtpërdrejt nga aplikacioni, thjesht duke hyrë në kredencialet e tyre.

Nëse praktika është e gjatë ose nëse ka nevojë të kërkohet sqarime apo kontrolle, nuk ka nevojë të shkosh te një avokat, pasi aplikacioni automatikisht krijon faqe aplikimi për të dërguar kërkesa të ndryshme apo për të pyetur mbi shumë të dhëna të nevojshme si p.sh,

për vërtetime penale, identifikim të adresës së zyrës kompetente, në bazë të kodit postar të përdoruesit. Për ata që kanë nevojë për ndihmë, ekziston një seksion i ndihmës në internet: “Ndihmë për ata që duan të integrohen”.

Ermir arriti në Itali nga Shqipëria në moshën 15 vjeçare, qysh në vitin 1999, si një emigrant i paigjshëm për t’iu bashkuar familjes që ndodhej në atë kohë në Itali.

“Fillova të punoja dhe studioja, mbarova shkollën e mesme, pastaj shkova në universitet dhe pas dhjetë vjetësh nga aplikimi dhe kërkesa drejtuar shtetit italian mora nënshtetësinë”, thotë ai. “Dhe unë shoh se shumë të huaj që kanë jetuar për vite me radhë në Itali – shton Ermiri – kanë vështirësi të mëdha për të patur një dokument,

edhe nëse janë pjesëmarrës në shoqërinë italiane dhe ndajnë vlerat e saj”, sepse në Itali ekziston “një burokraci e komplikuar që parandalon kriminelët të kenë shtetësi, por nuk i ndihmon ata persona që duan të integrohen “.

Me aplikacionin “Caj Mali”, mund ta bëjë procesin më të lehtë, madje edhe duke shmangur radhët në zyrat publike”, përfundon Ermiri, i cili synon të çojë përpara me risi idenë e tij dhe pse jo, të gjejë një sponsor që dëshiron të investojë në një biznes potencial.