Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është përballur sot me drejtësinë për masën e arrestit. Të shtunën Gjykata vendosi arrest shtëpie me akuzën e trafikut të narkotikëve dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Në fjalën e tij, Saimir Tahiri ironizoi masën e dhënë. “Ju keni thënë për mua arrest shtëpiak po për mua është njësoj si arrest shtëpiak e si arrest me burg”, mësohet të ketë thënë ish ministri i Brendshëm.

Ai kundërshtoi argumentimet në vendimin e zbardhur të gjyqtares Liliana Baku. “Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur.

Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem.

Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy”, mësohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë Prokurori Besim Hajdarmataj tha se janë dërguar letërporosi të reja, dy në Itali dhe një në Mal të Zi. “Na rezulton e provuar se është zhdoganuar një skaf i blere nga Orges Liperi. U ble 15 mijë euro.

Na rezulton e provuar që Saimir Tahiri ka drekuar në Greqi me Artan Habilajt. Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt”, tha Hajdarmataj.

Artikulli paraprak‘XHAFAJ’/ ZBARDHET SKENARI I OPOZITËS, NESËR PROTESTA, TË ENJTEN BLLOKOJNË PARLAMENTIN
Artikulli tjetërKRIMET E RËNDA LËNË NË “ARREST SHTËPIE” SAIMIR TAHIRIN