Mazhoranca ka vendosur sot në parlament të zgjasë edhe me tre muaj të tjerë, afatin e komisionit hetimor ndaj –ish ministrit të saj të Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u mor në Kuvend me shumicë votash: 72 vota pro zgjatjes së afatit dhe 3 vota kundër.

Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr. 30/2018, ka ngritur komisionin hetimor për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën Prokuroria po heton z. Saimir Tahiri ish-Ministër i Brendshëm.

Objekti i komisionit hetimor është verifikimi i çdo lloj dyshimi për ndikim të paligjshëm në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organet kompetente të ngarkuara me ligj, në hetimin penal të këtij rasti.

Hetimi do të synojë mbrojtjen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, me qëllim parandalimin e pasojave negative për shtetin, qytetarët dhe interesin publik si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale.

Përbërja e këtij komisioni është si vijon:
Edi Paloka, kryetar (PD), Ermonela Felaj, zëvendëskryetare (PS), Bashkim Fino, anëtar (PS), Klotilda Bushka, anëtare (PS), Pjerin Ndreu, anëtar (PS), Xhemal Qefalia, anëtar (PS), Paulin Sterkaj, anëtar (PS), Enkelejd Alibeaj, anëtar (PD), Flamur Noka, anëtar (PD), Myslym Murrizi, anëtar (PD), Endrid Braimllari, anëtar (LSI). Anëtarë zëvendësues janë: Alket Hyseni (PS), Adnor Shameti (PS).