Takimi i radhës i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në muajin shtator.

Një fakt të tillë e bëri me dije dje i dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, në mbyllje të takimit të kryeministrit Hoti dhe Presidentit Vuçiç në Bruksel.

Ai e vlerësoi me rëndësi takimin dhe përkushtimin e të dy udhëheqësve që bisedimet të intensifikohen në nivel ekspertësh që nga java e ardhshme.

Pas takimit kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se çështja e të zhdukurve dhe zhvillimi ekonomik ishin temat kryesore të takimit. Ai shprehu besimin se “është shënuar përparim edhe tek tema e zhvillimit ekonomik, detajet e të cilave do t’i merrni vesh ditëve në vijim”.

Ai tha se synimi i qartë i këtij procesi “është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se kryeministri Hoti kërkoi “hapjen e arkivave të policisë serbe dhe në atëherë kërkuan që të hapen arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Ai tha se bisedimet për personat e zhdukur dhe të zhvendosur do të diskutohet të mërkurën e ardhshme në nivelin teknik.

Ai tha se bisedimet do të jenë të vështira sepse Serbia nuk bisedon vetëm me shqiptarët por edhe me BE-në dhe vendet më të fuqishme evropiane.

Tamikimi i të enjtes në Bruksel pasoi një video-konferencë që u mbajt të dielën me të cilën u shënua edhe rifillimi i bisedimeve të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë zbatuar kurrë.