Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, do të vizitojë sot Kosovën. Mësohet se në fokus të takimeve të tij do të jetë vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Mediat kosovare raportojnë se Hahn gjatë kësaj vizite do të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe liderët e opozitës.

Pritet që gjatë vizitës së tij Hahn të përsërisë thirrjen për revokimin e taksës dhe të nënvizojë nevojën për fokusim në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.