Një punonjës i Drejtorisë së Regjistrimit të Mjeteve ka rënë në pranga ditën e sotme me akuzën e mitmarrjes në kuadër të operacionit policor të koduar “Targa e bukur”. Nga uniformat blu është arrestuar edhe sekseri.

Të arrestuarit janë Arjan Elezi, 38 vjeç, banues në Tiranë me detyrë specialist pranimi në sallën e rregjistrimit të mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor si dhe Sefer Myftari, 31 vjeç, banues në Tiranë ( në rolin e sekserit, i dënuar më parë për veprën penale “Deklarim i rremë).

Në njoftimin e shpërndarë nga policia për mediat thuhet se punonjësi i Drejtorisë së Regjistrimit të Automjeteve merrte para në këmbim të targave të dedikuara. Arjan Elezi dhe Sefer Myftari i kanë kërkuar pronarit të një automjeti një shumë monetare prej 50 000 lekë të reja në këmbim të pajisjes së automjetit me targë me numra të njëjtë.

Në momentin e arrestimit, specialistit iu sekuestrua edhe shuma e 50 mijë lekëve të përfituara në mënyrë antiligjore.

Njoftimi i policisë:

Opercioni policor i koduar “Targa e bukur” nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në pranga Specialisti i Rregjistrimit të Mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor dhe Sekseri, pasi i kërkuan pronarit të një automjeti një shumë monetare në këmbim të pajisjes me targë me numra të njëjtë.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Targa e bukur”, arrestuan në flagrancë shtetasit :

– Arjan Elezi, 38 vjeç, banues në Tiranë (specialist pranimi në sallën e rregjistrimit të mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor).

– Sefer Myftari, 31 vjeç, banues në Tiranë ( në rolin e sekserit, i dënuar më parë për veprën penale “Deklarim i rremë).

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin (shtetasi Sefer Myftari luante rolin e sekserit ), i kanë kërkuar pronarit të një automjeti një shumë monetare prej 50 000 lekë të reja në këmbim të pajisjes së automjetit me targë me numra të njëjtë.

Gjithashtu në momentin e kapjes në flagrancë shtetasve të mësipërm iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma monetare prej 50 000 lekë të reja e përfituar në mënyrë të kundraligjshme .

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. E., dhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit S. M.