Gjashtë institucione në Shkodër, mes tyre Hipoteka, ALUIZNI dhe spitali janë shkundur nga Task Forca Antikorrupsion e cila ka zhvilluar kontrolle dhe inspektime në institucionet që ofrojnë shërbime ndaj publikut,

sipas një skeme të ndërtuar mbi bazën e denoncimeve të bëra nga qytetarët, në platformën e bashkëqeverisjes Shqipëriaqeduam.al.

Rezultatet e aksionit në dy javë i ka bërë të ditura vetë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, sipas së cilës vetëm në dy javët e para të muajit shtator janë ndërmarrë 21 masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna. Po ashtu ka shtatë zyrtarë të kallëzuar në Prokurori.

Vetëm në dy javët e para të muajit shtator, Task Forca Antikorrupsion, e ka përqëndruar veprimtarinë e saj me inspektime të detajuara në disa institucione të rrethit të Shkodrës si:

• ZVRPP Shkodër
• ALUIZNI Drejtoria Rajonale Shkodër
• Spitali Rajonal Shkodër
• Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Rajonit Verior
• Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës Shkodër

Grupet e kontrollit në raportet përfundimtare të kontrolleve kanë rekomanduar 21 Masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna për:

• Regjistruesin dhe 6 specialistë në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër;
• 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist në ALUIZNI Shkodër

Ashtu si dhe për rastin e bërë publik dje në ZVRPP Shkodër, në të cilën u ndalua Regjistruesi dhe juristja, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës qëndrore u vendos shkarkimi i menjëhershëm i Rregjistruesit Shkodër dhe specialistes të kësaj zyre.

Nga inspektimet e kryera me grupe ndërinstitucionale, janë evidentuar shkelje dhe abuzime të cilat përmbajnë elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, për të cilët janë kryer kallzimet penale në organin e Prokurorisë së Shkodrës.

Konkretisht janë kryer kallzime penale për punonjësit e niveleve të ndryshme, ndër të cilët janë:

• Ish- Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime që kanë cënuar garantimin e ushtrimit të veprimtarisë të institucionit në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve,

shkelje të rënda në procedurat e evadimit të mbetjeve spitalore si dhe garantimin e furnizimit me medikamentet e nevojshme.

• Ish – Drejtori i ALUIZNI Shkodër, 3 ish – përgjegjës sektori, 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës,

duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve si dhe në shkelje të afateve;

Task Forca Antikorrupsion mbetet e fokusuar në vlerësimin maksimal të çdo denoncimi apo informacioni të ardhur nga qytetarët, për të verifikuar shqetësimet apo problemet e tyre dhe për të vënë përpara përgjegjësisë elementët e korruptuar në institucionet e shtetit.

Qytetarët duhet të vijojnë me denoncimet e tyre pranë platformës shqipëriaqëduam.al, me qëllim që të luftojmë korrupsionin dhe për të mos lënë asnjë mundësi për të gjithë ata elementë që e shohin punën në administratën shtetërore si një mundësi për të krijuar përfitime të paligjshëm.

Angazhimi i përbashkët institucional nëpërmjet institucioneve ligjzbatuese vazhdon, duke treguar vendosmëri të shtetit për të goditur aktet korruptive dhe abuzimet me detyrën të administratës publike në kurriz të qytetarëve.

Artikulli paraprakEKONOMIA RRITET ME 4.3% NË TREMUJORIN E DYTË, PESHËN KRYESORE E ZË SËRISH SHITJA E ENERGJISË
Artikulli tjetërSYZET E RRUGËS DHE OKULISTET E PALIÇENSUAR