Task-forca e posaçme e Ministrisë së Shëndetësisë ka evidentuar 90 farmaci me shkelje administrative.Prej tyre 79 rrezikojnë licencën, pasi kanë tregtuar barna pa recetë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke bërë publik raportin shprehet se kontrollet do të vazhdojnë dhe shkeljet nuk do të tolerohen.

Manastirliu: Ajo çfarë ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë është një luftë çdo ditë me ata që thyejnë ligjin përsa i përket barnave pa recetë, barnave pa pullë, tregtimit në kushte jo të mira dhe të gjithë atyre elementëve të sigurisë që duhet ti kenë dhe nuk i kanë.

Në Konferencën e 26 të Kirurgjisë, Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët do të përfitojnë rritje të pagave në vitin 2019.

Manastirliu: Mjekët dhe infermierët do të përfitojnë sërish rritje page me buxhetin e vitit 2019, ndërkohë që do të vijojnë politikat nxitëse me pagesën e bonusit për mjekët që japin shërbim aty ku ka nevojë për specialistë.

Ministrja e Shëndetësisë tha po ashtu se Spitali i ri Kirurgjisë do të jetë në shërbim të pacientëve brenda 9 muajsh me një kapacitet prej 120 shtretërish, 7 salla operacioni dhe një laborator histologjik.