Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka larguar menjëherë nga detyra 3 punonjës, inspektorë të sektorit të Zbatimit pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor Rajoni Qendror Tiranë, Gentian Elezin, Artan Krojn dhe një të tretë, P.H.

Dy të parë u arrestuan dje dhe i trei është shpallur në kërkim me akuzën se kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave, që ushtrojnë funksione publike”.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i bën thirrje çdo punonjësi të administratës tatimore të zbatojë me rigorozitet vetëm ligjin, në respekt të punës dhe institucionit , gjithashtu inkurajojmë bizneset dhe qytetarëve, për të denoncuar aktet korruptive, sjelljen jo etike dhe çdo akt të paligjshëm, gjatë ushtrimit të detyrës së punonjësve të Administratës Tatimore.

Njoftimi i Policisë:
Polici e Shtetit njoftoi sot nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3 mujor për veprat penale ”Korrupsion pasiv personave që ushtrojnë funksione puplike”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”,

u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gentian Elezi, 29 vjeç, banues në Tiranë dhe Artan Kroj, 37 vjeç,banues në Tiranë. Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit P.H. 43 vjeç.

Në ngarkim të tre shtetasve të mësipërm, me detyrë Inspektor të Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” per nenet 259, 244, 248 e 25 të Kodit Penal.

Të lart-përmendurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lek për çdo rast.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.