Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë së fundmi një sqarim për përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të furnizimit të shërbimeve arsimore. Ndër të tjera Tatimet nënvizojnë se në Ligjin Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përcaktohet se, përjashtohen nga TVSH-ja furnizimet e mirëfillta të mësimdhënies shkollore, universitare, formimit profesional dhe rikualifikimit, përfshirë furnizimin e shërbimeve ose të mallrave të lidhura ngushtë me këtë mësimdhënie.

“Përveç se duhet të jenë shërbime të edukimit dhe mësimdhënies në të gjitha nivelet, kushti tjetër që të jenë të përjashtuara, është që shërbimet të jenë të furnizuara nga institucione arsimore të njohura si të tilla, pavarësisht nëse janë shërbime arsimore ose shërbime dhe mallra të lidhura ngushtësisht me to.

 

Nuk përfshihen si shërbime të përjashtuara, shërbimet e ofruara nga institucione që ofrojnë kurse trajnimi, kualifikimi, kurse të tjera speciale ose profesionale, nëpërmjet të cilave nuk merret një formim i vazhdueshëm për pjesëmarrësit, i cili në përfundim të tij të shoqërohet me një diplomë të vlefshme për t’u njohur si profesion (zanat, specializim), por janë shërbime (kurse, etj.) nëpërmjet të cilave pjesëmarrësi merr ose zhvillon më tej njohuritë e tij në një fushë të caktuar të profesionit ose të ndryshme.

Kujdes!Gjithashtu, edhe nëse këto kurse kryhen nga institucione të njohura si të tilla nga autoritetet kompetente, shërbimet që ato ofrojnë nuk janë shërbime në objektin e përjashtimit.

Furnizimet për zbatimin e përjashtimit

Për zbatimin e përjashtimit, konsiderohen furnizim i shërbimeve të edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, të mësimdhënies shkollore apo universitare, formimit profesional dhe rikualifikimit, furnizimet e mëposhtme: a. furnizimi i shërbimit të mësimdhënies për realizimin e planeve dhe programeve mësimore, nga institucione të arsimit të lartë, universitar dhe pasuniversitar të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shtetëror;

1. furnizimi i shërbimeve arsimore të mësimdhënies për realizimin e planeve dhe programeve mësimore në nivele të ndryshme shkollore e parashkollore (arsimi bazë; arsimi i mesëm i përgjithshëm dhe arsimi profesional, arsimi special, kopshtet); c. furnizimi i shërbimeve arsimore të mësimdhënies për realizimin e programeve të arsimit profesional dhe rikualifikimit;

2. furnizimi i shërbimeve arsimore që kryhen nga institucionet arsimore plotësuese jopublike, ku punohet në drejtim të arsimimit e të edukimit në lëndë e specialitete të veçanta që kanë të bëjnë me marrjen e njohurive në lëndë të përfshira në programin mësimor (p.sh. kurse të gjuhës së huaj, matematikë, fizikë, kantoje etj), të miratuara nga autoriteti kompetent shtetëror.

Furnizimi i mallrave dhe shërbimeve të lidhura ngushtë me mësimdhënien

Në rastin kur përbëjnë një element plotësues të domosdoshëm dhe të pandashëm të mësimdhënies, furnizimi (shitja) e materialeve mësimore për nxënësit dhe studentët (fotokopje, etj.) përjashtohen nga TVSH-ja.

Po kështu, shërbimi i printimit ose fotokopjes nga universitetet për printim esesh dhe tezash diplome, përjashtohen nga TVSH-ja me kusht që: a. këto printime t’iu shërbejnë studentëve të këtyre institucioneve për nevojat e studimeve të tyre; b. të bëhen në një numër të kufizuar kopjesh pa qenë nevoja e përdorimit të metodave

komerciale të menaxhimit, të cilat mund t’u japin karakter konkurrues. Qendrat e subvecionuara me fonde shtetërore Qendrat e trajtimit të studentëve që subvencionohen me fonde shtetërore, të cilat funksionojnë posaçërisht për këtë qëllim, duke vënë në dispozicion të studentëve konviktet ose mensat, shërbimi i fjetjes dhe i mensës kur i ofrohet studentëve ose nxënësve, është i përjashtuar nga TVSH-ja, si shërbim i lidhur dhe i domosdoshëm për shërbimin arsimor.

Këto qendra duhet të vërtetojnë në çdo rast se shërbimi që ato ofrojnë, i është ofruar studentëve dhe jo të tretëve, me rekomandim të universitetit publik. Përndryshe shërbimi i kryer prej tyre është i tatueshëm me TVSH.

Gjithashtu, janë të përjashtuara nga TVSH-ja, kurset apo leksionet e veçanta të ofruara privatisht nga mësuesit, kur ofrojnë shërbime që kanë të bëjnë me mësimdhënien shkollore apo universitare, për lëndë që bëjnë pjesë në këto programe mësimore dhe që ndiqen nga nxënës e studentë. (p.sh. kurse matematike, gjuhë e huaj, fizikë, etj)” sqarojnë Tatimet.