Deri në datën 27 shtator, trashëgimtarët e një numri të konsiderueshëm të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist kanë afat për të sjellë dokumentat që u mungojnë, në mënyrë që të realizohet marrja e këstit të tretë të dëmshpërblimit të parashikuar nga ligji për ta.

Dokumentet që kërkohen sipas ligjit janë dëshmi trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njësuar noterizuar; autorizim me shkrim i lëshuar nga përfituesi për të përfituar dokumentet e nevojshme elektronike; certifikatë vdekje e ish të dënuarit dhe certifikatë e trungut familjar (certifikata e trungut nuk mund të zëvendësohet me certifikatë familjare) do të aksesohen dhe printohen nga ana e Drejtorisë së Pagesave të Dëmshpërblimeve nëpërmjet portalit të shërbimeve publike elektronike e-albania, brenda kuadrit të shërbimeve që disponon e-albania. Ato shërbime të cilat nuk aksesohen dot nëpërmjet portalit elektronik të shërbimeve publike do ti kërkohen subjekteve përfituese për t’i dërguar.

Po kështu, kërkohen numrat e llogarisë bankare në Lek (IBAN) për çdo trashëgimtar ose për personin e autorizuar me prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit, në njërën nga bankat e nivelit të dytë që ushtron veprimtarin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; dokument identiteti (kopje ID-je, Pasaporte) të çdo trashëgimtari ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit.

Kur një trashëgimtar i radhës së parë, të ish të dënuarit politikë, nuk jeton, për të tërhequr dëmshpërblimin, trashëgimtarët e radhës së dytë, (fëmijët e tij) duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, të gjithë dokumentet për trashëgimtarin e radhës së parë që nuk jeton. Kur një trashëgimtar i radhës së dytë nuk jeton, e drejta e tyre për dëmshpërblim nuk vazhdon më tej.