Disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, nga ndodhitë e vitit 1997 deri te pavarësia e Kosovës e më tej, janë përmbledhur në librin intervistë e me rrëfime nga jeta dhe përvoja si politikan, i ish-presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Me titullin “Nocturn – kur arsyeja errësohet nga pushteti”, Bamir Topi tregon në vetën e parë dhe në cilësinë e protagonistit, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit dhe shkrimtarit, Bashkim Hoxha.

Vetë autori, e quajti shkrimin një sfidë më vete dhe një detyrë për të treguar të vërtetat vetjake.

Topi: Kam tentuar të shkruaj aq sa për të demonstruar të vërtetat dhe e vërteta për ngjarje të mëdha që më kanë shoqëruar dhe për më tepër kur këto të vërteta kanë hyrë nëpër labirinthet e një beteje e cila shpesh ose deformohet, ose merr një karakter tjetër dhe historia tenton të shkruhet nga sundimtarët e radhës.

Për ish-kryeministrin, Aleksandër Meksi, ky libër ka rëndësi pasi tregon për një periudhë të trazuar të jetës sonë.

Meksi: Me vlerë dhe interes të veçantë janë dhe gjykimet dhe opinionet që Bamiri jep për fqinjët, shqiptarët në Ballkan, etikën, dhe politikën, shoqërinë, median, institucionet dhe aspekte të tjëra të aktiviteteve të tij gjatë viteve në politikë aktive.

Ndërsa botuesi, Henri Çili, synon që me librin, “Nocturn – kur arsyeja errësohet nga pushteti” të dokumentojë jetën, idetë dhe përvojat e njerëzve të shquar.

Çili: Ka shumë rëndësi për kulturën tonë shoqërore, politike, për të ardhmen, për studiuesit, për të gjithë ata që e studiojnë politikën shikimi i ngjarjeve, analiza e ngjarjeve nga vetë protagonistët e tyre.

Bamir Topi shërbeu si President i Republikës nga viti 2007 e deri në vitin 2012, kur dhe filloi ta shkruajë këtë libër.