Pas mesazhit të qartë të Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bundestag Johann David Wadephul se reforma zgjedhore duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020, vjen një reagim nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Ky i fundit përmes një deklarate theksoi se të gjithë e kanë kuptuar tmerrin e Ramës për zgjedhje, ndërsa shtoi se ai ka frikë nga humbja.

“Të gjithë e kanë kuptuar tmerrin tënd nga zgjedhjet, por frika jote nga humbja e pushtetit nuk mund të marrë peng Shqipërinë. Edi Rama lexoje mirë këtë deklaratë të Bundestagut dhe lëri lojërat e pista politike në kurriz të shqiptarëve. 👇”, tha Bardhi. Kujtojmë se në qëndrimin e tij Johann David Wadephul nuk i kurseu edhe kërcënimet në emër të Grupit të CDU-CSU, për faktin se sipas tij maxhoranca duhet të tërhiqej nga ndryshimet kushtetuese, pasi në të kundërt Gjermania bllokon hapjen e negociatave me BE.

Deklaratë e Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul:
“….Ndryshimet kushtetuese do të minonin tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonin atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit.

Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore.

Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.

Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar:
Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore.

Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman.

Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”

Artikulli paraprak“JASHTË PARLAMENTARES E PRESIDENCIALES”, REAGON RAMA: MARRËVESHJEN DO E ZBATOJMË NË ÇDO PIKË. KUVENDI ËSHTË SOVRAN, I DËGJON TË GJITHË POR…
Artikulli tjetërLËKUNDJE TËRMETI NË SHQIPERI, JA SA ISHTE MAGNITUDA