Politikanë shqiptarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjet e jetëve që shkaktoi tërmeti i mbrëmjes së djeshme në Elazig të Turqisë.

Tërmeti me magnitudë 6.8 dhe thellësi 6.7 km përveç viktimave la pas shumë godina të shkatërruara dhe mijëra persona të lënduar.

Ky nuk është tërmeti i parë që godet Turqinë, pasi një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.0 goditi provincën Elazig në 2010 duke lënë pas 51 viktima.

Kryetari i Kuvendit Ruçi,ka bërë një mesazh ngushëllimi për popullin turk dhe Presidentit Erdogan, pas tërmetit tragjik që la pas shumë viktima.

“Ngushëllojmë dhe ndajmë dhimbjen me popullin turk dhe familjet e viktimave. Mbështetje, kurajo e shërim të shpejtë të lënduarve. Mbështetje e solidaritet Presidentit Erdogan. Goditjet e natyrës përballohen bashkarisht” tha Ruçi.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për viktimat e shkaktuara nga tërmeti i rënë mbrëmjen e djeshme.

Teksa lutet që mos të ketë më jetë të humbura, kreu i shtetit shqiptar iu uroi shërim të shpejt personave të lënduar. Ndër të tjera Mata theksoi se në këto momente të vështira, populli shqiptar është në krah të Turqisë mike.

“Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik. Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh.

Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë. Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah Turqisë mike!”, shkruan Meta në Facebook.
Shqipëria ka shprehur solidaritetin për Turqinë, për sa i përket pasojave të rënda pas tërmetit të mbrëmjes së djeshme në Elazig.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsa i përket tërmetit 6.8 ballë që goditi Turqinë mbrëmjen e sotme duke e quajtur ngjarjen trishtuese. Përmes një mesazhi në Twitter, Rama shpreh mbështetjen e tij ndaj popullit turk në këto momente të vështira.

“Shumë e trishtueshme fatkeqësia që ra mbi Turqinë mike prej një tërmeti të rëndë, ku janë shënuar edhe jetë të humbura! I jemi pranë popullit turk dhe lutemi që Zoti t’u japë autoriteteve të vendit dhe Presidentit Erdogan të gjithë forcën për ta përballuar këtë tragjedi”, shkruan Rama.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit tragjik në të rënë në Turqi ku la pas disa viktima. Xhaçka kujton solidaritetin dhe ndihmën e popullit turk kur Shqipëria po kalonte të njëjtën situatë tragjedie ndërsa për situatën e ka cilësuar si të tmerrshme.

“Me mendje e me zemër pranë popullit turk në këto momente tragjedie. Ndajmë me miqtë tanë dhimbjen e çdo shqiptari që nuk mund të harrojë solidaritetin e ndihmën e pakursyer që populli turk na dha në të njëjtën situatë tragjedie. Lutem për sa më pak viktima e të lënduar, nga kjo ngjarje e tmerrshme”, shkruan ministrja Xhaçka.

Artikulli paraprakTËRMETI 6.8 BALLË NË TURQI, VDESIN TË PAKTËN 21 PERSONA, QINDRA NDËRTESA TË RRËNUARA
Artikulli tjetërKAPEN 1.3 TON KOKAINË NË GREQI, MEDIAT: ERDHI NGA SHQIPËRIA, 8 TË ARRESTUAR