Pavarësisht deklaratës së Angela Merkel se kufijtë në Ballkanin Perëndimor nuk ndryshohen, Presidentët Thaçi e Vuçiç janë të bindur për t’a çuar deri në fund çështjen e rishikimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

 

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, Presidenti kosovar Hashim Thaçi është i bindur se marrëveshja që ai shpreson të jetë finalizuar deri Shkurtin e vitit të ardhshëm, do t’a marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve.

 

“Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe arrijnë një marrëveshje, BE dhe SHBA do të mbështesin çdo marrëveshje për korrigjimin e kufijve. Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet e krizat dhe do të hapë perspektivën europiane për të dy vendet”.

 

Thaçi shprehet se propozimin për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën do t’ia parashtrojë homologut serb në raundin e radhës të bisedimeve në Shtator në Bruksel.

 

I pakënaqur me deklaratat e Kancelares gjermane Angela Merkel, u shfaq Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

 

“Për Merkelin dhe gjithë botën perëndimore, me disa përjashtime, Kosovën e konsiderojnë si një territor gjithëpërfshirës, sovran dhe të pandashëm dhe se ky territor u takon shqiptarëve”.

 

Megjithatë Vuçiç konfirmoi pjesëmarrjen në raundin e radhës të dialogut me Thaçin në Bruksel në Shtator, ku rishikimi i kufijve me shumë gjasa do të jetë temë diskutimi mes tyre.

Artikulli paraprakTRAGJEDIA NË XHENOVA, PRESIDENTI META: JEMI PRANË POPULLIT MIK ITALIAN
Artikulli tjetërDYSHOHET PËR DY SHQIPTARË TË VDEKUR NË ITALI NGA SHEMBJA E URËS