Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Ushtria e Kosovës, do të bëhet dhe për këtë nuk ka kthim prapa dhe kjo në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Thaçi në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, ka thënë se nëse nuk votohet në Kuvend ushtria, do të jap dorëheqje nga pozita e presidentit. Nuk ka asnjë kthim mbrapa. Së paku nga ana e ime. Unë do t’i kryejë të gjitha obligimet e mia procedurale. Një legjislacion që nuk voton ushtrinë e vendit e tij, nuk e meriton të vazhdojë. Jam i bindur se edhe qytetarët nuk do ta lejojnë. Do ta çojnë në shtëpi. Për këtë jam i sigurt. E theksoj se dorëheqja ime hynë në fuqi në atë moment që ky Kuvend të mos e votojë. Hyn në fuqi momentin e mbarimit të atij mosvotimi” tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës. “Askush nuk ka pse të befasohet. Ushtria e Kosovës do të bëhet në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtarë. Kanë qenë të konsultuar dhe të informuar për të gjithë procesin”, ka thënë Thaçi. “Më herët janë informuar dhe konsultuar edhe partnerët e koalicionit dhe Kryetari të Kuvendit. Gjithçka është ligjore. Presidenti ka të drejtë të ngrejë çështje. Si komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës vlerësoj se kjo çështje duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Falënderoj veçanërisht Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin”, ka thënë Thaçi ndër të tjera.