Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në Samitin Brdo-Brione të vendeve të Ballkanit, i cili po mbahet në bashkëorganizim të presidentit Borut Pahor të Sllovenisë dhe presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviq të Kroacisë.

“Është e vërtetë që, në shikim të parë, rajoni i Ballkanit duket i trazuar. Kriza politike janë parë në të gjitha vendet e rajonit. Por, në të njëjtën kohë, kemi parë fillim të zgjidhjes së këtyre krizave. E rëndësishme është se në të gjitha këto procese, ngadhënjyese po dalin opsionet e orientimit pro-perëndimor, pro NATO-s dhe pro BE-së. Në këtë unë shoh një momentum të ri në rajon, të stabilizimit politik e veçanërisht të konfirmimit të orientimit euro-atlantik të rajonit”, tha Thaçi, sipas kumtesës nga Presidenca.

Ai shtoi se është qenësore që kërkesa e Ballkanit për afrim me NATO-në dhe BE-në, të marrë përgjigje konkrete, pozitive, nga Brukseli. “Më saktësisht, kërkojmë dialog strategjik me Brukselin. Brukseli duhet të shikojë shtetet e Ballkanit Perëndimor nga prizmi gjeo-strategjik”, theksoi Thaçi, sipas të cilit vendet e Ballkanit duhet të plotësojnë kriteret që kërkohen qoftë për të hyrë në NATO, qoftë për të hyrë në Bashkimin Evropian. “Në këtë aspekt ne nuk kërkojmë favore nga BE-ja”, tha ai. “Jemi shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende as nuk e kemi marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Jemi shteti i vetëm ndaj të cilit BE-ja ka qasje neutrale dhe pesë shtete anëtare të BE-se ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”. Duke folur më tej për ide të ndryshme që po promovohen për bashkëpunimin në mes vendeve të Ballkanik, Thaçi tha se rajoni i Ballkanit tanimë ka korniza për bashkëpunim. “CEFTA ofron kornizën për bashkëpunim ekonomik dhe përafrim të tarifave doganore në mes vendeve anëtare. SEECP ofron kornizën për bashkëpunim politik, në të gjitha nivelet, në mes vendeve të Ballkanit”, pohoi Thaçi.

“Shqetësuese është se këto ide nuk duken se kanë synim inkurajimin e bashkëpunimit rajonal, por janë indikator i mungesës së vizionit dhe lidershipit në BE”, vijoi presidenti. Thaçi ndër të tjera tha se Samiti Brod-Brione gjatë viteve ka dhënë ide konkrete për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe të afrimit me Bashkimin Evropian.

Procesi i Berlinit i dha një shtytje të re përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për afrim me BE-në. Ai tha se tani është koha për veprime konkrete. “Ideja si ajo e CORE NETWORK, rrjetit të autostradave që do të lidhin kryeqytetet e Ballkanit, janë hapa konkretë që krijojnë kushte për afrim të popujve, komunikim më të mirë, shembim dhe bashkëpunim më të mirë ekonomik”, shtoi ai.