ZV/KRYEMINISTRI I KOSOVËS DEKLARON SË ÇËSHTJA DO TË DORËZOHET NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE.

Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi deklaron se Kosova do të padisë  Serbinë për genocid, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’i kërkuar dëmshpërblim për luftën e fundviteve ’90, ku llogariten më shumë se 10 000 shqiptarë të Kosovës të vrarë dhe 1700 të tjerë të humbur. “Po diskutojmë dhe po punojmë për këtë çështje”  i ka thënë Thaçi agjencisë së lajmeve turke, Anadollu. Ai shtoi se nuk mund të japë një datë të caktuar, por Kosova do të aplikojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pasi të ketë vlerësuar “rrethanat e brendshme dhe ndërkombëtare” Thaçi beson se çështjen Kosova do ta fitojë: “S’ka dyshim që Serbia kreu genocid në Kosovë. Ne kemi prova e dëshmitarë. E gjithë bota e di. Por deri në momentin kur Kosova të mos jetë pjesë e OKB-së, po përpiqemi të gjejmë bazën ligjore për të paditur Serbinë për akuzën e genocidit dhe t’ia provojmë gjykatës ” shtoi ai. Thaçi theksoi se Kosova pati një numër më të vogël të emigrantëve sesa Serbia apo Shqipëria në vitin 2014, por në fillim të 2015-ës, rritja erdhi për shkak të fjalëve se Gjermania u jepte leje pune emigrantëve dhe trafikantët përfituan duke mbushur autobuzët për t’i dërguar njerëzit atje përmes Serbisë dhe Hungarisë. Megjithatë, ministri i Jashtëm vuri në dukje se edhe izolimi i qytetarëve të Kosovës është i padrejtë, pasi ata janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.