I vënë në qendër të komenteve për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, Presidenti kosovar Hashim sqaroi propozimin që sipas tij nuk nënkupton në asnjë formë ndarje të Kosovës, pavarësisht interpretimeve që bëhen.

 

“Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi 400 kilometër kufi që duhet të saktësohet me kufirin e Serbisë. Korrigjimi nënkupton bashkangjitjen në tërësi të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në Republikën e Kosovës. Ky proces duhet të jetë i rregullt dhe transparent për llogaridhënie mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

 

Thaçi deklaroi se kërkesën për të qenë pjesë e Kosovës ia kanë bërë vetë banorët e Luginës së Preshevës. Ai nuk sheh asnjë arsye që kjo ide të kundërshtohet nga ndërkombëtarët, nëse arrihet një marrëveshje me Serbinë.

 

“Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, askush s’do të jetë kundër, edhe ndërkombëtarët. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë nëse ndodh pajtueshmëri e dyanëshme”.

 

Arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Thaçi e konsideron megjithatë tepër të vështirë. Por ai shpreh angazhimin për të vënë në zbatim të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrdhënieve me Serbinë.

 

Pjesë e këtij angazhimi është edhe themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, që sipas Thaçit do të krijohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE