Banesa e prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala është bërë pre e një sumi me armë mëngjesin e sotëm.

Lajmi konfirmohet  nga burime policore, të cilat saktësojnë se sulmi ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa fatmirësisht askush prej familjarëve nuk është lënduar.

Në drejtim të banesës është derdhur një breshëri kallashnikovi. Burimet saktësojnë se në momentet e sulmit familjarët e Lalës, prindërit, vëllai por edhe fëmijët e gazetares ndodheshin në banesën e gazetares në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija”.

Policia në njoftimin e saj zyrtar thotë se po heton për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Informacion Paraprak

Më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç.

Nuk ka dëme në njerëz.

Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.