Një megaoperacion i antimafias italiane dhe policisë së rajonit të Kalabrisë i ka dhënë një tjetër goditje mafias kalabreze Ndrangheta.

Në në orët e para të mëngjesit të sotëm janë ekzekutuar urdhëra arrestimi ndaj 38 personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në aktivitet kriminal mafioz, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje, kërcënim e dhunë.

Të arrestuarit akuzohen si anëtarë të dy grupeve kriminale të mafias kalabreze Ndrangheta të klanit të Rosanos.

Aktiviteti kryesor i tyre ishte importimi i kokainës të cilësisë së pastër nga Amerika e Jugut dhe e hashashit nga Maroku e Spanja.

Sapo mbërrinte në Itali, droga shpërndahej në tregjet e shitjes së saj në rajonin e Lombardisë, Piemonte e Siçili.

Hetimet e antimafias italiane kanë zbardhur se këto dy grupe kriminale ishin në një rivalitet të ashpër mes tyre, dokumentuar nga metodat mafioze të zotërimit të territorit, dhunë e kërcënëim, armëmbajtje pa leje e tentativë vrasje.

Rreth mesditës Prokurori i Rexhio Kalabrias, Giovanni Bombardieri, pritet të zbardhë detajet e këtij operacioni në një konferencëpër mediat.