Një turist është tmerruar kur ka parë një kamion me kashtë që kolovitej sa majtas djathtas nga pesha në një rrugë në Korçë dhe pa hezituar, ka njoftuar Policinë. Parakalimi i atij mjeti ishte shumë i rrezikshëm.

Vetë Policia e ka përshëndetur këtë akt të vizitorit të huaj dhe ka marrë masat duke e gjobitur kamionistin, por dhe duke sensibilizuar opinionin se sa i rëndësishëm është denoncimi i këtyre rasteve.

Policia njoftoi se “përditë e më shumë qytetarët shqiptarë bashkëpunojnë e besojnë tek Policia duke adresuar shqetësimet dhe paligjshmërinë. Mes tyre edhe shtetas të huaj me qëndrim të përkohshëm dhe me aktivitet në Shqipëri, apo turistë bëhen partnerë me Policinë e Shtetit.

Një qytetar i huaj, vizitor në vendin tonë pas videos së dërguar shkruan:
“Dua të sinjalizoj një sjellje anormale, mjeti në kthesën e parë mund të përmbyset duke dëmtuar veten dhe përdorues të tjerë të rrugës” Ndërhyni ju lutem…”

Policia Rrugore duke e falënderuar “Qytetarin e javës” për sigurinë rrugore, po publikon masën administrative ndaj drejtuesit të mjetit kundravajtës. Posta Shqiptare ia dërgoi gjobën drejtuesit të mjetit në adresë.”