Të paktën dy persona, mes të cilëve edhe një fëmijë 7-vjeçar, janë plagosur në gjendje të rëndë pas panikut që kaploi turmën e tifozëve të Juventusit që po ndiqnin ndeshjen në sheshin kryesor të Torinos.

Mijëra tifozë të “Zonjës së vjetër” ishin duke parë drejtpërdrejt, përmes ekranit gjigant, finalen e Champions League mes Juventusit dhe Realit të Madridit, që u luajt në Kardif të Uellsit dhe që përfundoi me rezultatin 1-4. Mbi një mijë tifozë pësuan plagë të lehta, kur disa shpërthime të konsiderueshme, por që duket se erdhën si pasojë e fishekzjarreve, shkaktuan panik vetëm pak minuta pas fundit të ndeshjes.

Reali mposhti Juventusin për ta fituar për herë të 12 kupën “me veshë të mëdhenj”. Megjithatë, kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi i takimit, turma e mbledhur në sheshin qendror të “San Carlo”-s nisi arratinë, duke i shtyrë njerëzit rreth barrierave mbrojtëse. Çanta, këpucë e shumëçka tjetër u lanë në vendngjarje, teksa njerëzit bërtisnin me të madhe teksa largoheshin.

Një djalë 7-vjeçar raportohet në gjendje të rëndë në spital, pasi ka pësuar dëme në kokë dhe në gjoks. Disa prej të plagosurve u dëmtuan në momentin kur barrierat për të drejtuar hyrje-daljen në shesh u rrëzuan dhe pengonin njerëzit në arratinë e tyre. Për disa tifozë të Juventusit, ky incident riktheu në kujtesë ngjarjet traumatike të fatkeqësisë së stadiumit “Heysel” në vitin 1985, ku 39 tifozë, shumica italianë, u vranë pas shembjes së murit mbi ta përpara finales së Kupës së Europës me Liverpoolin.

Artikulli paraprakXHAKA I PËRGJIGJET DE BIASIT: NUK KËRKOJ NDJESË
Artikulli tjetërTHAÇI: JEMI SHTETI I VETËM NDAJ TË CILIT BE-JA KA QASJE NEUTRALE