Izraeli është shpallur fitues i edicionit të 63-të të Eurovision Song Contest 2018, i cili u zhvillua në Lisbonë të Portugalisë. Në një total prej 529 pikësh, kënga “Toy”, deri diku e çuditshme dhe një trend i momentit arriti të jetë në krye të Europës.

Kënga simbolizon forcën e femrës dhe padyshim e thotë që në vargun e parë: “Jam një krijesë e bukur”. Që prej momentit të publikimit ka qenë në krye të klasifikimeve.

Shqipëria arriti të renditej vetëm në vendin e 11-të me totalin e 184 pikëve. “Mall” nga Eugent Bushpepa erdhi e interpretuar në mënyrë të përkryer, ndërsa juria profesioniste e vlerësoi shumë më mirë se sa publiku.

Çuditërisht, pikët e vetme maksimale për Shqipërinë erdhën nga Azerbajxhani, ndërsa juri në vende të tjera si Mali i Zi, Islanda, Hungaria dhe Portugalia e vlerësuan me nga 10 pikë. Zhgënjen Italia, juria e së cilës nuk dha asnjë pikë për këngën “Mall”, megjithatë publiku Italian na vlerësoi me 12, mksimalja e mundshme.

Në Eurovisionin e këtij viti Eugent Bushpepa nuk ishte i vetmi shqiptar që mori pjesë. Ermal Meta përfaqësoi Italinë në një duet të veçantë me Fabrizio Moro, duke mos shkuar më shumë se vendi I pestë.

Ndërsa Eleni Fuoreira përfaqësoi Qipronë. Kjo e fundit ka qenë pretendente absolute për të marrë triumfin deri në fillim të spektaklit, megjithatë nuk arriti të rrëmbej vendin e parë dhe u rendit e dyta.

Ky edicion i Eurovisin Song Contest do të mbahet mend për pjesëmarrjen e gjerë të shqiptarëve, të cilët për fatin e mirë na përfaqësuan denjësisht. Shqipëria mbërriti në finale e Eurovisionit pas dy viteve dështime.

Rezultati më i mirë është ai I vitit 2012, renditur në vendin e pestë me kënën “Suus” nga Rona Nishliu.