Dënohen me nga 8 vite burg dy shqiptarët e arrestuar për trafik emigrantësh me gomone nga Franca në Britaninë e Madhe.

Feim Vata dhe Xhemal Baco, u dënuan nga Gjykata e Canterbury- me 16 vite burg në total. Ata u gjetën fajtor për akuzën e trafikut të emigrantëve përmes kanalit të La Manshit me destinacion tokën angleze.

Vata dhe Baco ndërmorën 3 udhëtime me gomone. Rolin e drejtuesit të gomones e kryente Xhemal Baco, ndërsa Feim Vata, pas mbërritjes së gomones në brigjet angleze, kryente transportimin e emigrantëve me furgon.

Dy shqiptarët ranë në prangat e policisë më 20 tetor 2018. Ata kishin ndërmarrë edhe tre udhëtime te tjera me gomone. Xhemal Baco kishte transportuar nga Franca 6 emigrantë shqiptarë, të cilët zbarkuan në plazhet e zonës Deal në Kent.

Policia britanike e cilësoi udhëtimin me gomone si mjaft të rrezikshëm për shkak të dallgëve të detit, duke shtuar se vetëm fati i ka shpëtuar emigrantët nga mbytja në një zonë ku edhe dhënia e ndihmës së parë është mjaft e vështirë.