Shtatë anëtarë të një grupi kriminal që trafikonin emigrantë në Britani të Madhe përmes kanalit anglez, janë dënuar me 48 vite burg në total nga një gjykatë britanike.

Hetimet e autoriteteve angleze zbuluan se ky grup kriminal punonte në dy rrjete të ndryshme, një shqiptar dhe një britanik.

Hetimet nisën fillimisht në Maj të vitit 2016, pas gjetjes së një gomoneje të braktisur në një plazh, brenda së cilës kishte rroba.

Autoritetet britanike, në bashkëpunim me ato franceze, zbuluan se organizatorë ishin dy shqiptarë të quajtur Artur Nutaj dhe Saba Dulaj. Këta të dy organizonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve shqiptarë nga bregu verior i Francës drejt Britanisë së Madhe.

Dy shqiptarët e dënuar me burg bashkëpunonin me një familje britanike nga Kenti.Kjo familje kishte siguruar mjetet e transportit, duke blerë gomone të shpejta dhe motora uji, të cilat përdoreshin për transportimin e paligjshëm të emigrantëve shqiptarë drejt Anglisë.

Konkretisht, S. Dulaj 24 vjeç u dënua me 7 vite burgim dhe shqiptari i dytë A. Nutaj 39 vjeç u dënua me 7.6 vite burg. Të dënuarit e tjerë, janë shtetas anglezë bashkëpunëtorë në këtë trafik të paligjshëm.

Bashkëpunimi i dy shqiptarëve me shtetasit anglezë është dokumentuar nga hetuesit përmes përgjimeve dhe fotografimeve të fshehta. Arrestimet ndaj tyre u kryen në trafikun e emigrantëve që kishin organizuar më 28 Maj, ku në gomonen me 18 refugjatë të paligjshëm ishin edhe dy prej kontrabandistëve.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE