Gjykata e Krimeve të Rënda ka zhvilluar sot seancën në ngarkim të 10 anëtarëve të bandës së biznesmenit Jurgen Molla, të cilët u arrestuan në vitin 2016. Në total gjithë grupi është dënuar si më poshtë;

Kreu i bandës, biznesmeni Jurgen Molla është dënuar me 10 vite burg.
Shyqyri Kotorri është dënuar me 9 vite dhe 4 muaj burg;Anest Koromani është dënuar me 9 vite e 4 muaj burg;Arif Çiço është dënuar me 9 vite e 4 muaj burg;

Enver Kurtulus është dënuar me 8 vjet e 8 muaj burg;Abubekir Tuncedemir është dënuar me 9 vite e 4 muaj burg;Blerim Ukimeraj është dënuar me 8 vite burg.

Elmi Thaci është dënuar me 8 vite burg;Orges Myftaraj është dënuar 8 vite e 8 muaj burg.
Në total i gjithë grupi ka përfituar 1/3 ulje të dënimit, pasi gjykata ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar.

Shqiptarët Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri, Anest Koromani, Klaudio Veizaj dhe Orges Myftaraj, ata nga Kosova; Arif Çiço, Blerim Ukimeraj dhe Elmi Thaqi si dhe të pandehurit turq, Enver Kurtulus dhe Abubekir Tuncdemir akuzohen për veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal” dhe “trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Të pandehurit e këtij procedimi penal janë pjesë e një rrjeti të gjerë të arrestuarish, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në linjën Turqi-Kosovë/Greqi-Shqipëri me destinacion vendet e Bashkimit Europian përgjatë viteve 2015-2016.

Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani kanë luajtur rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut të drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë.

Para se të arrestohej, Molla njihej si biznesmen në Lezhë me një aktivitet të zgjeruar në fushën e ndërtimit. Në njërin prej përgjimeve të dhjetorit 2015, Molla mburrej se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e një prokurori nga Krimet e Rënda në drejtim të Shkodrës.

Prokuroria renditi 4 episode të trafikut në kërkesën për gjykim, ngjarje këto të ndodhura nga qershori 2015 deri në mars të vitit 2016.

Sipas saj, Arif Çiço nga Kosova, së bashku me të pandehurit turq Enver Kurtulus dhe Abubekir Tuncdemir kanë luajtur rolin e ndërmjetësit në sigurimin e heroinës, ndërsa të pandehurit e tjerë kanë pasur role ndihmëse.