Një urë është shembur rreth mesditës së kësaj të marte në afërsi të qytetit verior të Xhenovas, në Itali.

 

Ura, pjesë e superstradës A10, është rreth 100 metra e lartë dhe ka raporte për të paktën 11 njerëz të vdekur, sikurse edhe makina të mbetura nën rrënoja.

 

Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të urës në mes të saj, një pjesë në shtratin e një lumi, por të tjera mbi shtëpitë dhe kapanonet industriale që ndodhen nën të.

 

Madje, një kamion ka mbetur mrekullisht i ndaluar në fund të pjesës, që i ka mbijetuar incidentit.

 

Skuadrat e emergjencave kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Flitet për shumë viktima, me siguri më shumë sesa 11, por numri mund të rritet pasi zjarrfikësit po përpiqen të nxjerrin njerëzit e bllokuar në makinat e tyre nën rrënoja.

 

Ura e ndërtuar në vitet 1960 është e njohur si “ura Morandi”. Pjesa e shembur është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera. E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan atë pjesë të qytetit si shumë të banuar.

 

Shkak për shembjen e urës mund të jetë bërë një defekt strukturor. Autostrada është mbyllur në drejtimin Xhenova-Savona dhe gjithashtu në drejtimet Milano-Xhenova dhe Xhenova-Aeroport.

 

Liguria është përfshirë prej disa orësh nga reshje të dendura shiu, pa pushim, ndërsa Mbrojtja Civile kishte shpallur alarmin “portokalli”.

Artikulli paraprakTREGTONTE NË MËNYRË TË KUNDRALIGJSHME, ARRESTOHET
Artikulli tjetër“ZONJA E PARË MEZI PRET TË DIVORCOHET NGA DONALD TRUMP”