Plot një dekadë pas tragjedisë së Butrintit, ku 5 persona u mbytën në liqen në tentativë të kalimit ilegal drejt Greqisë, policia vuri në pranga një prej organizatorëve të trafikut. Albert Gega, 36 vjeç, rezulton i dënuar me 10 vjet burg për ngjarjen e 19 tetorit 2008.

10 vjet pas tragjedisë së Butrintit, ku pesë 5 persona u mbytën në tentativë për të kaluar ilegalisht drejt Greqisë, Policia e Fierit ka arrestuar një prej organizatorëve të trafikut.
Në pranga është vënë Albert Gega, 36 vjeç.

Ai është person i dënuar me 10 vite burgim për veprën penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”.

Ai u kap në fshatin e tij të lindjes në Kurjan të Fierit gjatë një aksioni të forcave Operacionale.

Në tetor të vitit 2008, Albert Gega në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë, kishte organizuar kalimin në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë me varkë të 22 personave. Por varka u përmbys dhe 5 persona humbën jetën.

Viktima të tragjedise së 19 tetorit 2008 ishin Elvira Jaho dhe e bija 3-vjeçare Klara Jaho, Festim Hoxha, Ndriçim Myftari dhe Amarildo Kuka.

Gati dy vjet pas ngjarjes, Gjykata e Sarandës dënoi me 21 vjet burg Hyqmet Sollakun, 17 vjet burg Dashamir Mane, 16 vjet burg Brahim Madhin dhe 10 vjet burg Albert Gegën.
Tre të parët u gjobitën me 8 mln lek, ndërsa Gega me 6.

Ata do të merrnin nga 600 euro për person për ti kaluar drejt Greqisë.