Largimi i trajnerit Hasan Lika nga Vllaznia ka bërë që të përfliten disa prej emrave të mundshëm që mund ta zëvendësojnë atë në stolin e kuqebluve. Një ditë më parë klubi Vllaznia njoftoi se trajneri Lika ka ndërprerë kontratën me kuqeblutë duke gjetur kështu marrëveshjen me bashkinë Shkodër për shkak të angazhimeve të tij familjare.

Pritet që këto ditë trajneri të largohet drejt Amerikës bashkë me familjen si një nga fituesit e lotarisë amerikane. Në këtë mënyrë ky largim i papritur ka bërë që të nisin lëvizjet e para për drejtuesin e ardhshëm tek Vllaznia. Stërvitjen e parë pas largimit të Hasan Likës sipas burimeve e ka drejtuar zëvendëstrajneri Safet Osja.

Megjithatë Osja me shumë gjasa nuk do të pranojë që të jetë ai trajner i parë deri në fund të këtij sezoni. Në këtë mënyrë ka nisur puna nga ana e drejtuesve të klubit të cilët po mendojnë se kush mund të jetë trajneri i ardhshëm.

Vllaznia e cila momentalisht është në Kategorinë e Parë dhe pothuajse ka siguruar daljen në Superligë do të kërkojë një trajner i cili të mos jetë kalimtar vetëm për ndeshjet e mbetura por që do të ndërtojë ekipin edhe për sezonin e ardhshëm kur kuqeblutë do të rikthehen në elitën e futbollit shqiptar.

Janë disa emra si më të mundshmit por ende nuk është bërë përzgjedhja përfundimtare. Siç ka deklaruar administratori Suad Lici deri në fund të kësaj jave pritet që Vllaznia të njihet me trajnerin e ri që do zëvendësojë Hasan Likën. Këto ditë skuadrën do e drejtojë Safet Osja.