Tragjedi në Itali, 3 persona mbyten nga vullkani

Edhe pse i fjetur, vullkani “Solfatara” pranë Napolit u ka marrë jetën 3 personave, të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje. Një 11-vjeçar dhe dy prindërit e tij ranë në kraterin e vullkanit, gjatë një vizite turistike në zonë. Dinamika e ngjarjes nuk është zbardhur plotësisht, por mediet italiane sugjerojnë se tragjedia kishte ndodhur pasi djali kishte ecur në një zonë të ndaluar. Kur prindërit e tij u përpoqën ta tërhiqnin drejt tyre, baza e kraterit ishte shembur dhe ata ranë në baltën e nxehtë të një grope 3 metra të lartë. Nuk dihet ende nëse shkaktar i vdekjes janë bërë gazrat. Djali tjetër 7-vjeçar i çiftit nuk hyri në krater dhe mbijetoi. Familja me origjinë torineze e vendbanim në Venecia po zhvillonte një vizitë turistike në jugun e Italisë. Prindërit ishin të dy në të dyzetat. “Solfatara” është një prej disa vullkaneve që gjenden në perëndim të Napolit dhe josh një numër të madh turistësh. Një vullkan i fjetur, që për herë të fundit ka shpërthyer në vitin 1198, ai ka një krater të cekët dhe njihet për emetimet e gazrave sulfurike. Zona ku ranë 3 personat përbëhet nga një lloj rërë lëvizëse, ku terreni është i prirur të shkatërrohet. Një punëtor lokal në zonë, Diego Vitagliano tha se aksidenti ishte gjëja më e keqe që kishte parë në jetën e tij.