Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve, edhe me pasoja të rënda për jetën.

Për këtë arsye, Policia Rrugore kërkon pesëfishimin e gjobës, pasi vlera aktuale është qesharake në raport me rrezikun që paraqet.

Aktualisht, vlera e gjobës për këtë shkelje varion nga 1.000 lekë deri 1.500 lekë. Por, në ndryshimet e reja që policia kërkon t’i bëhen Kodit Rrugor, kërkohet që kjo gjobë të kalojë në komision, me vlerë nga 5.000 deri në 15 mijë lekë, e njëjta masë si për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Por, grupi i punës, i ngritur për ndryshimet e reja, sipas burimeve ka parashikuar edhe një masë tjetër plotësuese. Në rast se një drejtues mjeti do të gjobitet tri herë brenda një viti për përdorimin e celularit, atij do t’i pezullohet leja e drejtimit për 6 muaj.

Këto ndryshime kanë gjetur edhe mbështetjen e disa deputetëve, që pritet t’i propozojnë së shpejti Parlamentit shqyrtimin e Kodit Rrugor.