Punimet e filluara pak ditë më parë në restaurimin e Tregut të Rusit në Shkodër kanë detyruar tregtarët që produktet e tyre t’i shesin në një ambjent të papërshtatshëm.

Vendi i ri i përkohshëm ku qytetarët shkodranë janë të detyruar të blejnë produktet ushqimore është I rrezikshëm për shëndetin.

Konsumatorët tashmë janë të detyruar të blejnë ushqime që shiten mes tymit të automjeteve, çfarë mund të rezultojë fatale për shëndetin.

Tregtarët, në pamundësi për të patur një vend më të përshtatshëm, janë të detyruar të shesin në rrugën “Pogej”, rruga lidhëse e Rusit me sheshin “Prekë Cali”, në mesin e trotuarëve, duke vështirësuar jo vetëm lëvizjen e qytetarëve por edhe të automjeteve.

Punimet për restaurimin e tregut pritet të zgjasin në një hark kohor prej tre muajsh, duke I dhënë zgjidhje njëherë e mir problemit të trashëguar prej vitesh.

Megjithatë, deri në përfundimin e tyre, produktet e tregtarëve të këtij tregu do të shiten në rrugë, njëlloj si tregtarët ambulant.

E vetmja shpresë e tyre është përfundimi në kohë i punimeve në treg, për të vijuar punën. Ndërkohë, tregu i ngjanë një kantieri ku puna vijon me intensitet.