Tregu i ri tek Merkata e Rusit në qytetin e Shkodrës nuk është funksional as në këtë fillimviti pavarësisht se u ndërtua i ri. Tregtarët bëjnë me dije se kontrata e cila i pengonte të përdornin tregun për të zhvilluar aktivitetin e

tyre ka përfunduar prej 7 muajsh ndaj një pjesë e tyre edhe pse të paktë në numër, kanë filluar të shesin mallin e tyre në këtë treg edhe pse kushtet janë të papërshtatshme.

Pjesën më të madhe të tregut e zënë makinat e parkuara dhe mbeturinat e hedhura kudo. Në kushte të tilla, tregtarët bëjnë thirrje që të merren masa për mirëmbatjen e tregut pasi është e vetmja mundësi për të shmangur shitjen në mes të trotuarit apo në rrugë.

Bashkia Shkodër ka deklaruar se muaji qershori do të ishte afati i fundit i përfundimit të punimeve në tregun e ri.

Këtë fillim janari bëhen 10 muaj që nga premtimi i fundit që i është bërë tregtarëve në këtë treg, por deri tani asnjë veprim nuk është kryer nga institucionet përgjegjëse.