KUVENDI SHTYN NËSËR VENDIMIN, SERBIA KËRCËNON. Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike e menjëherë pas saj, Kuvendi i Kosovës vendosi të shtyjë votimin e saj për ditën e nesërme. Gjatë seancës së sotme, është vendosur që votimi i ndryshimeve të propozuara për Trepçën të shtyhet për nesër. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Isa Mustafa në një fjalim para deputetëve të Kosovës.

Sipas Mustafës, kthimi i Trepçës nën menaxhimin e shtetit nuk është i lehtë, për shkak të detyrimeve të saj të cilat mund të shkojnë deri në 1.4 miliardë euro. Një mbledhje tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit do të shqyrtojë projektligjin, ndërsa nesër pritet të mblidhet sërish Kuvendi për miratim. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kanë marrë pjesë të gjithë ministrat e Listës Srpska të cilët e kanë kundërshtuar ashpër ndryshimin e projektligjit për Trepçën.  Nga ana e tij Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se nëse qeveria e Kosovës do të miratojë projektligjin i cili i ndërron pronësinë e kompleksit të minierave “Trepça”, kjo do të rrezikonte bisedimet ndërmjet palëve Kosovë-Serbi si dhe mund të ndikojë në destabilizimin e sigurisë në veriun e Kosovës. Ndërkaq, serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar protesta deri në bllokim të veriut të Kosovës. Qeveria serbe e ka bërë të qartë vendimin e saj se nuk do të pranojë asnjë nga vendimet e miratuara nga qeveria e kosovës përsa i përket çështjes “Trepça”.  Por qeveria e Kosovës tha se po synon të shpëtojë Trepçën nga falimentimi i cili do të linte pa punë mijëra veta. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se pronarët e Trepçës janë të qartë ndërsa i cilësoi të paqëndrueshme pohimet se kjo çështje mund të ndikojë në bisedimet Kosovë – Serbi.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE