Nata e ndërrimit të viteve për familjen e Vladimir Mulaj, vëllain e kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, nuk ka qenë e zakontë.

Kjo pasi një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer në oborrin e shtëpisë së Vladimir Mulaj, duke sjellë dëme serioze në vilën që zotëron Mulaj, në afërsi të qytetit studenti në Tiranë.

Nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës,mesohet se ngjarja e rëndë është regjistruar në datën 1 janar 2019, por çuditërisht Policia e Tiranës nuk ka shpërndarë asnjë njoftim për këtë ngjarje kaq të rëndë.

I pakuptimtë ky qëndrim i policisë për këtë ngjarje, por burimet thanë se grupi hetimor ka sekuestruar disa pamje filmike afër zonës ku ndodhi ngjarja, me shpresën se kamerat kanë filmuar autorin e krimit.

Shpërthimi i tritolit ka ndodhur në oborrin e vilës së Vladimir Mulaj, duke shkaktuar thyerjen e xhamave dhe krijuar një gropë në vendin e shpërthimit.

Nuk dihet me saktësi nëse kjo ngjarje lidhet me ndonjë konflikt të Vladimir Mulaj, por kujtojmë se ky i fundit është vëllai i Natasha Mulaj Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila po drejton shumë procese gjyqësore, duke shkarkuar gjyqtarë dhe prokurorë.

Natasha Mulaj drejton një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, dhe është hallka e fundit që vulos përfundimisht shkarkimin nga detyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Lëvizjet
Me dyshimet se ngjarja kriminale mund të ketë lidhje me pozicionin e motrës së tij, mësohet se në vendngjarje ka shkuar dhe vetë shefi i sigurimit të gjithë gjyqtarëve të Vetingut, për të marrë informacion nga afër.

Të gjitha veprimet hetimore janë kryer nga oficerë të komisariatit nr.1 në Tiranë dhe specialistët e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Momentalisht dokumentacioni është referuar nga policia në prokurori dhe një grup hetimor është ngritur për këtë ngjarje kriminale.

Një burim pranë akuzës së kryeqytetit se hetimet janë duke vijuar ku janë administruar disa dëshmi, por ende nuk ka një person të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.

I kontaktuar në telefon Vladimir Mulaj rreth kësaj ngjarje refuzoi të japë një koment. Policia dhe prokuroria e Tiranës ka orientuar hetimet në dy pista hetimore. E para lidhet me detyrën e motrës së Vladimir Mulaj dhe e dyta me ndonjë borxh financiar që Vladimir Mulaj mund të ketë ende pa shlyer.

Kujtojmë se Mulaj është një avokat dhe biznesmen i njohur në Tiranë, pasi zotëron dhe kompaninë “ALBANIAN INTERNATIONAL SCHOOL”.
Njëherësh Mulaj zotëron dhe Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës.

Policia dhe prokuroria kanë ngritur dyshime mbi disa të dhëna se ngjarja kriminale mund të ketë lidhje me pagesa të pashlyera.

Por sipas një burimi nga grupi hetimor, kjo nuk do të thotë që të mos kryhen dhe verifikime për sa i përket detyrës tepër deçizive të motrës së tij në KPA, në shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga detyra.

Aktualisht hetimet janë në fazën fillestare dhe ende pa asnjë person të arrestuar. Polici dhe prokurori janë duke kryer një sërë veprimesh me shpresën se do arrijnë të arrestojnë personin përgjegjës të këtij sulmi me tritol në banesën e vëllait të Kryetares së Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Artikulli paraprakBETOHET NË GJYKATËN E STRASBURGUT GJYQTARI SHQIPTAR DARIAN PAVLI
Artikulli tjetërSHPËRTHEN TRANSFORMATORI TE ‘BUJQËSORI, NUK KA TË LËNDUAR