Policia e Vlorës njoftoi sot paraprakisht se tritoli që shpërtheu në Vlorë i ishte vendosur shtëpisë së Jovan Çelës, 43 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”. Shpërthimi ndodhi në orën 3:20.

Njoftimi: “Më datë 23.09.2018, në orën 3:20, në lagjen “Isa Boletini”, në katin e 4-t të një pallati pranë hyrjes (derës) pronë e shtetasit J.Ç, 43 vjeç, ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse.

Si pasojë e shpërthimit nuk ka dëme në njerëz, por ka vetëm disa dëme të pjesshme materiale. Policia po punon për sqarimin e rrethanave dhe për zbulimin e autorëve përgjegjës.”

Mësohet se pak kohë më parë, autorit i kanë djegur një automjet, ndërsa 43 vjeçari Jovan Çela ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për trafik droge, duke kryer edhe burg.

Mësohet se 43 vjeçari ka një pikë servisi në këtë qytet.
Policia e Vlorës ka marrë në pyetje sot, Jovan Çelën, pronarin e shtëpisë në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë, të cilit i shpërthyen tritol në derë në orën 3:20 të mëngjesit.

Sipas gazetarit të BË, 43-vjecari punonte si zdrukthëtar dhe nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur shpërthimi, por aty ndodheshin fëmijët dhe gruaja e tij.

Gjatë dëshmisë së tij për rreth 5 orë në polici, ai ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk i di arsyet se pse i kanë vendosur tritol në banesë. Mësohet se lënda eksplozive është aktivizuar përmes fitilit dhe jo me komandim.