Sot trupat amerikane që ndodheshin në Siri hynë në territorin irakian në drejtim të Erbil-it, kryeqytetit të Kurdistanit të Irakut.

Autokolona u gjuajt me patate të kalbura nga banorë të zonës ndërsa po kalonte në qytetin e Duhok-ut. Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se të gjitha forcat amerikane që do të largohen nga Siria do të vendosen në Irakun perëndimor dhe mund të kryejnë operacione antiterror kundër Shtetit Islamik.

Sekretari i Mbrojtes tha se SHBA po mban disa trupa pranë fushave të naftës në veri-lindje të Sirisë për t’i mbrojtur ato militantëve të Shtetit Islamik.

Esper tha se më shumë se 700 trupa amerikane do të vendosen në Irak dhe nuk do të kthehen në SHBA, ndryshe nga ajo që shkruante në twitter Presidenti Donald Trump.

Ai nuk i përjashtoi mundësinë e kryerjes së operacionet antiterror nga Iraku në Siri. Por Esper tha se planet do të përpunohen me kalimin e kohës dhe se ato do të përfshijnë diskutime me aleatët e NATO-s në ditët e ardhshme. Ai tha gjithashtu se nëse forcat amerikane do të kthehen në Siri ato do të mbrohen nga avionët amerikanë.

SHBA-ja ka aktualisht rreth 5 mijë trupa në Irak bazuar në një marrëveshje mes Bagdadit dhe Uashingtonit. Trupat u tërhoqën në vitin 2011 kur operacionet ushtarake atje përfunduan, por u rikthyen pas tre vitesh kur Shteti Islamik mori kontrollin e pjesës më të madhe të vendit, territor që e humbi sërisht më vonë.

Sekretari Esper tha se marrëveshja e nënshkruar të enjten e kaluar për armëpushim pesëditor mes forcave turke e kurde në veri të Sirisë “duket se po respektohet”.