Qëndrimin dyditor në Qarkun e Kukësit, kryeministri e nisi me një bashkëbisedim në Has për sa i përket bashkëqeverisjes me njerëzit përmes platformës “shqipëriaqëduam.al”.

Një mësues kishte gjetur zgjidhje pasi i ishte refuzuar vendi i punës, ndonëse rezultonte i pari në testim.

“Ka filluar një procedim disiplinor për kryetarin e Komisionit të Vlerësimit dhe për përgjegjësin e zyrës. Do të përfundojnë që të dy në prokurori”, deklaroi Rama.
Rama tha se, shumë shpejt të gjitha emërimet dhe lëvizjet e mësuesve do të jenë kompjuterike, për të shmangur abuzimet e drejtuesve.

“Nuk do të ketë më lidhje fare drejtori apo përgjegjësi i zyrës me emërime apo zëvendësime, apo me vakanca, sepse të gjitha këto do t’i bëjë kompjuteri”, u shpreh Rama.

Kryeministri u njoh edhe me rastin e një fermeri, që nuk kishte përfituar dëmshpërblimin për lopën e sëmurë, siç ishte premtuar prej Ramës në vitin 2015.

“Nuk kemi çfarë të bëjmë. Ti me lopë, unë me derra…vështirë e kemi punën! Kushdo qoftë ai, pastë faqen e zezë. Po ia them këtu se ndoshta po na ndjek, ose është atje te protesta. Të largohet nga puna, pasi është shkaktar për këtë vonesë skandaloze”, vijoi më tej Rama.

Rama iu referua protestës së një grupi qytetarësh, që e pritën me pankarta gjatë qëndrimit të tij në qytet. Disa fotografi u shpërndanë nga Partia Demokratike, e cila njoftoi se policia nuk i lejoi ata të protestojnë në sheshin e qytetit.

Demokratët e pritën kryeministrin me protestë edhe në Kukës, ku nuk munguan tymueset dhe kapsollat e hedhura në drejtim të tij.

“Më vjen keq që një pjesë e atyre që kishin ardhur për të marrë pjesë në takim, për shkak të sallës ishin të detyruar të rrinin jashtë dhe të shikonin atë grupin zoologjik, që ishin mbledhur në hyrje. Kemi një kundërshtar tejet të dëshpëruar dhe njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara”, tha Rama.

Në këtë aktivitet dedikuar anëtarësimeve të reja në PS, Rama njoftoi se edhe Kukësi do të ketë një stadium të ri ndërkombëtar, njësoj si Shkodra dhe Elbasani.