Numri i shtetasve të huaj qe vizituan Shqipërinë ka pësuar një rritje të fortë dyshifrore gjatë muajit gusht, çka premton për një shtim të ardhurave nga turizmi gjatë verës.

INSTAT raporton se janë 1 milionë e 450 mijë të huaj që kanë hyrë në vend me një rritje prej gati 27 përqind krahasuar me gushtin e 2017-s, si tetëmujor rritja vjetore është 16,8%.

Të huajt që kanë deklaruar në kufi se kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime kanë qenë rreth 960 mijë gjatë gushtit, dhe rritja është 12,3% krahasuar me gushtin e një viti më parë.

Ajo që bie në sy në shifrat e INSTAT është rritja e konsiderueshme prej 82,5% që ka pësuar numri i shtetasve gjermanë që kanë hyrë në Shqipëri, gjatë gushtit dhe 36,9% si tetëmujor.

Por kosovarët zënë peshën më të madhe të vizitorëve me rreth 670 hyrje në gusht, ndërsa rritja është 40% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Edhe si tetëmujor janë kosovarët që kryesojnë, dhe rritja vjetore është 17,7%. Me rritje janë dhe vizitorët nga Italia, Maqedonia dhe Polonia.

Ndërkohë me rënie rezulton numri i grekëve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë gushit, të pasuar nga anglezët, zviceranët dhe malazezët.

Në anën tjetër 3,6 milionë shqiptarë udhëtuan jashtë vendit gjatë tetëmujorit me një rritje prej 3.2% në krahasim me 8 mujorin e një viti më parë. Kurse në gusht dolën jashtë vendit 670 mijë shqiptare me një rritje të lehtë prej 1,3%.