Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës në Itali ka zhvilluar disa takime me sipërmarrës duke i ftuar që të investojnë në Shqipëri.

Gjatë takimit në kompaninë “Amarelli”, ku u takua me drejtuesit dhe anëtarët kalabrezë të Unindustria-s, sipërmarrësit italianë nënvizuan interesin për të zgjeruar tregjet e prodhimeve të tyre në Shqipëri.

Kreu i Shtetit vuri në dukje se Italia është partneri ynë kryesor ekonomik dhe se Shqipëria ka potenciale të mëdha duke ofruar mundësi për investime në fushën e shërbimeve financiare, teknologji, energjetikë, sidomos turizëm, etj.

“Turizmi shqiptar mesa duket është “dashuria e re” e italianëve. Deri në shtator të 2018-ës, mbi 350 mijë turistë italianë kanë shijuar bukuritë e rralla të plazheve të virgjëra dhe ujërave të kristalta,

të gërshetuara me malet magjepsëse dhe mbi të gjitha me një kulinari që impresionon dhe vetë italianët. Jam i sigurt që italianët vetëm në Shqipëri mund të hanë ushqim më të mirë se sa në Itali.

Potenciali ynë turistik ka nevojë për investime të konsiderueshme dhe “know-how” për zgjerimin e shpejtë të ofertës akomoduese të hoteleve dhe rezorteve, sidomos për të përballuar trendin në rritje të turistëve të huaj, numri i të cilëve kaloi 5 milionë për 2017.

Dëshiroj që të ftoj sipërmarrësit e “Unindustria Calabria” të vlerësojnë këto oportunitete investimesh në turizmin shqiptar. Tashmë kemi dhe një kuadër rregullator dhe fiskal tepër stimulues, me përjashtime taksash dhe reduktime tatimesh për bizneset që investojnë në hotele me 4 dhe 5 yje.

Bujqësia, agro-turizmi dhe industria ushqimore janë sektorë që po njohin një zhvillim të shpejtë, të cilat vitet e fundit kanë zgjuar dhe interesin e investitorëve të huaj me kapital të mesëm financiar, për shkak të potencialeve të pashfrytëzuara dhe fitimeve të kënaqshme.

Padyshim, aseti më i madh atraktiv që ka Shqipëria në raport me investitorët e huaj dhe në veçanti me Italinë, nuk është barra e ulët fiskale, por fuqia e saj punëtore dhe kryesisht potenciali i të rinjve.

Ne kemi një rini të mirëedukuar që flasin në pjesën dërmuese italisht dhe anglisht dhe që punojnë me paga mesatare jo më shumë se 300-400 Euro. Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse kompanitë italiane kanë gjetur “parajsën” e tyre në Shqipëri.

Shpresoj se Shqipëria do të shndërrohet në një “atdhe të dytë” për kalabrezët dhe italianët” deklaroi Ilir Meta. Presidenti ndodhet prej dy ditësh në Itali, ndërsa ka marrë pjesë në disa aktivitete me komunitetin shqiptar.