Turizmi këtë vit në Shqipëri është përmirësuar dhe ka shënuar rritje krahasuar me periudhat e kaluara. Këtë e pohoi vet Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi në Lalëz për turizmin.

Duke marrë shkas nga komentet e pushuesve vendas që ankohen për çmimet e larta, Kryeministri u shpreh kundër këtyre pretendimeve.

Sipas tij, Shqipëria ka çmimet më të lira për pushuesit, dhe këtë e konfirmojnë edhe turistët e huaj.

Atyre që thonë çmimet janë të larta, iu them: Turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë është shumë e bukur, çmimet janë të lira dhe mikëpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë, shqiptarët thonë pushimet janë shumë të shtrenjta.

Ose turistët e huaj janë nën efektin e drogës ose pastaj ka një problem me vetë këta që komentojnë. Çmimet i vendos tregu jo qeveria.

Nuk ka çmime të larta që e lënë restorantin apo hotelin bosh sepse falimenton. Përderisa ka klientë, atëherë do të thotë që ka një balancë. Nuk diskutohet që në Shqipëri pushimet janë shumë të lira.

Numri i shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë shtetit është rritur. Kjo tregon rritje të fuqisë së konsumit”, u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij.