Turizmi në krye, në verë ekonomia përfitoi gjysmë miliard euro

Ekonomia shqiptare përfitoi më shumë se gjysmë miliard euro nga turistët dhe vizitorët e huaj që hynë në vend për qëllime biznesi vetëm në tremujorin e tretë të vitit. Shifra është bërë publike nga Banka e Shqipërisë në bilancin tremujor të pagesave. Sipas të dhënave, për periudhën korrik-shtator, që përbën dhe pikun e sezonit turistik, vizitorët e ardhur nga jashtë shpenzuan 521 milionë euro në Shqipëri, ose 25 për qind më shumë se e njëjta përiudhë e vitit të kaluar. Ndërsa për të gjithë 9 mujorin, ekonomia ka përfituar nga shpenzimet e udhëtarëve që hyjnë nga vendet e tjera 1 miliard e 161 milionë euro, ose mbi 15 për qind më shumë se një vit më parë. Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që është regjistruar ndonjëherë nga udhëtimet, çka sinjalizon se gjatë këtij viti turizmi mund të jetë shndërruar në një nga sektorët kyç që ka udhëhequr rritjen ekonomike. Një ditë më parë Instituti i Statistikave raportoi se pikërisht gjatë tremujorit të tretë të vitit ekonomia shtoi 18 mijë e 600 vende të reja pune. Të dhënat e detajuara tregojnë se një pjesë e mirë punësimeve të reja kanë ardhur nga sektori i shërbimeve, që është i lidhur ngushtë me turizmin. Por veç kontributit në rritjen ekonomike dhe punësim, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e gjeneruara nga turizmi ishin burimi kryesor që kompensuan defiçitin e lartë tregtar të ekonomisë, si diferencë mes vlerës së importeve dhe asaj të eksporteve.

Artikulli paraprakKAPET MASHTRUESI KRONIK, PREMTONTE KREDI E QERA TË ULËTA
Artikulli tjetërCALAIS,NDËRTOHET MURI KUNDËR EMIGRANTËVE ILEGAL, JO MË BRITANI