Të dhënat e INSTAT tregojnë se në katër muajt e parë të vitit kanë hyrë në vend mbi 1 milion të huaj, me rritje 7.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në maj dhe qershor numri i tyre është shtuar më shumë, për shkak të sezonit të verës, teksa operatorët turistikë pohojnë se hotelet në Golem, ku është fluksi më i madh i të huajve, kryesisht polakë, çekë, nordikë, gjermanë, janë të prenotuara deri në tetor.

Eurot e turistëve është nja nga faktorët që po ndikojnë në nënçmimin e monedhës së përbashkët në Shqipëri. Euro ka filluar të nënçmohet me shpejtësi pas përfundimit të muajit të Ramazanit. Pas festës së Bajramit, pati prurje të turistëve nga vendet e rajonit, dhe jo vetëm, të cilët po rrisin ofertën në valutë. Euro e nisi edhe këtë javë duke humbur pikë përkundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye dje me 121.6 lekë. Monedha e përbashkët nuk kishte prekur këto nivele të ulëta që prej korrikut të 2008-s, duke shënuar kështu rekordin më të ulët në 11 vitet e fundit. Që prej fillimit të këtij muaj euro ka humbur një pikë përkundrejt lekut. Sipas ekspertëve të tregut të këmbimit valutor, arsyeja tjetër e nënçmimit të euros këto ditë lidhet me afrimin e datave për të shlyer detyrimin e TVSH-së dhe të sigurimeve nga bizneset.

Të huajt që vijnë në vend për arsye turistike, pune e biznesi, apo dhe për turizëm shëndetësor, po sjellin gjithnjë e më shumë valutë në vend. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e të huajve në vendin tonë arritën në 348 milionë euro për periudhën janar-mars, duke shënuar një nivel rekord të pas viteve ’90. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet e të huajve kanë shënuar rritje prej 5.1%, ndërsa në krahasim me 2013-n, pothuajse janë dyfishuar.

Artikulli paraprakERJON BRACE: VOLTANA ADEMI ESHTE NJE KEQBERESE
Artikulli tjetërGRUAJA ITALIANE, E CILA ISHTE PERSONI MË I VJETËR I EVROPËS, VDES NË MOSHËN 116-VJEÇARE