Menjëherë pas kësaj marrëveshje historike për shqiptarët në Malin e Zi lindin disa sfida të tjera që në fakt janë kërkesa që shtrohen prej vitesh.

Ministri i Pakicave Mehmet Zenka thotë se s’ka vend për kënaqësi. Nga ana tjetër Nazif Cungu ish-kryetar i komunës së Ulqin shprehet se shqiptarët në Tuz pas statusit si Komunë e Pavarur kanë shumë punë për të bërë.

Nik Gjeloshaj është shqiptari i cili pas 20 vitesh është zgjedhur një prej anëtarëve në komunën e kryeqytetit Podgoricës ndërsa është këshilltar edhe në Tuz, aty ku jeton.

I pyetur nëse Tuzi do mund të vetëqeveriset shprehet se kjo dilemë është e atyre që kanë qenë kundër ndërsa tashmë do kërkohet një buxhet më i madh në qeverinë malazeze.

Idea për një bashkim të Tuzit, Plavës e Gucisë apo Ulqinit me Shqipërinë ashtu siç Kosova po kërkon komunat shqiptare në Serbi duket ende një ditë e largët.

Tri partitë shqiptare UDSH, Forca e Re Demokratike dhe Alternativa Shqiptare bënë koalicion në 2016-ën duke dalë sëbashku në zgjedhjet parlamentare por më pas nisën sërish problemet mes tyre.

Në zgjedhjet vendore të Tuzit dhe Ulqinit ky koalicion nuk funksionoi. Kur afrohen zgjedhjet partitë politike shqiptare shpesh herë nuk gjejnë gjuhën e përbashkët.

Star Plus ka ndjekur nga afër zhvillimet në Tuz pas shpalljes si Komunë e Pavarur duke qenë pranë shqiptarëve të cilët jetojnë përtej kufirit.