Kombëtarja e Shqipërisë U-17 ka barazuar 1-1 në ndeshjen miqësore të luajtur ndaj 17 vjeçarëve të Kosovës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Pjesa e parë e mbyll në barazim 0-0. Në pjesën e dytë Kosova e nisi me një gol që u barazua më pas nga kuqezinjtë me shënues Cahanin.

Pas ndeshjes miqësore trajneri i kombëtares të Shqipërisë U-17 Xhemal Mustedanagiç tha se e rëndësishme është loja që zhvilloi skuadra dhe jo rezultati.

“Të them drejtën fati duhet të ishte më shumë me ne, ashtu siç ishte edhe para dy ditëve me Kosovën. Primare nuk është rezultati edhe pse edhe rezultati ka rëndësi kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar por primare për mua është loja.

Më shumë jam i interesuar për lojën dhe për disa individë dhe detaje të lojës. Këto dy ndeshja kam parë gjithçka, ato që më duhen dhe këto dy ndeshje kanë qenë shumë të vlefshme për mua.

Loja jonë ishte më e mirë se e ekipit kundërshtar, lojë e rrjedhshme me qarkullim topi por problemi jonë është që nuk e kemi atë qendërsulmuesin tipik që tërheq përpara që mbron topin apo që jep pasin e dytë”.

I pyetur nëse 17 vjeçarët do të jenë gati për eleminatoret e vlefshme për kampionatin europian të 2019-ës, tekniku Mustedanagiç u shpreh se fillimisht do të jetë grumbullimi dhe më pas përgatitja për këto eleminatore…

“Kemi edhe grumbullimin para eleminatorëve dhe do punoj për ato gjëra që shoh problematike dhe do t’i zgjidhim dhe them se do paraqitemi mirë. Kemi ekipe të forta në grup si Norvegjia, Çekia apo Azerbajxhani dhe them se kur bëhet fjalë për ekipe kombëtare nuk ka skuadra të lehta.

Besoj që kur të vijë dita e eleminatorëve ne do të jemi të përgatitur. Për mua gjithë lojtarët janë njësoj ngado që vijnë. Unë shikoj vetëm që të gjej lojtarë dhe t’i zhvilloj ata për kombëtaren A”.

Ndeshjen e parë për eleminatoret e kampionatit europian kombëtarja U-17 do ta ketë me 23 tetor përballë Çekisë, sfidë që do të luhet në Elbasan Arena.