Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë që u anulua të enjten e kaluar, do të mbahet ditën e sotme në orën 17:00.

Konferenca e Kryetarëve u mblodh këtë paradite ku u mor vendimi. Në seancën e sotme pritet të miratohet struktura dhe buxheti i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.

Seanca plenare do të jetë vetëm me deputetët e mazhorancës, pasi opozita e bashkuar shqiptare, PD, LSI dhe aleatët e djathtë, kanë vendosur të djegin mandatet. Opozita ka nisur një valë protestash me qëllimin për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme përmes krijimit të një qeverie tranzitore.

Deri më tani kundër vendimit të grupeve, kanë dalë deputeti i PD-së, Mylsim Murrizi dhe Lefter Koka i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa ende është pezull vendimi i deputetes Rudina Hajdari, vajzës së të ndjerit Azem Hajdari.

Deputeti që ka hequr dorë nga mandati, Edi Paloka, thotë se mbledhja e seancës plenare sot në 15:00, në zëvendësim të seancës që u anulua kur opozita mbajti protestën të enjten e shkuar, është ilegjitime.

“Kuvendi ilegjitim, mblidhet ne ilegalitet.

Pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan dyert hyrëse, tani kane filluar ta mbledhin dhe ne ilegalitet. Seancën e së enjtes , po kërkojnë ta mbledhin fshehtas sot në orën 17.00.

Sa mendoni se do zgjasni kështu?! Tik-tak…”, shkruan Paloka në një reagim në rrjetin social Facebook.