I fejuari i Elvana Gjatës, Ervin Mata, biznesmeni i përfshirë në ngjarjen në Ish-Bllok në tetor të 2018, pritet të njihet të hënën me masën e sigurisë.

Mata u vetëdorëzua mbrëmjen e së premtes në policinë e Tiranës pas 4 muajsh në kërkim.

Ai ka dëshmuar se nuk ka lidhje me vrasjen e Fabiol Gaxhës, plagosjen e Ervis Martinajt dhe Elion Hatos.

Duke mohuar se ka shtënë me armë, Mata theksoi se është larguar i frikësuar, duke pretenduar se e kanë sulmuar.

Përsa i përket shkaqeve që çuan në vrasjen e Gaxhës, ai nuk përmend ngacmimin e të fejuarës së tij, këngëtares Elvana Gjata.

Ndërsa për pistën e larjes së hasapeve për pazare droge, ai u shpreh se nuk ka konflikte me asnjë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit të 2018, ku një përplasje mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, dhe u plagos Ervis Martinaj dhe Elion Hato.

Të përfshirë në këtë ngjarje, janë edhe Fabiol Alushi, Geldo Hoti, dhe truproja e Matës, Meviol Billo. Ky i fundit i cili dyshohet se ka qëlluar Fabiol Gaxhën, vazhdon të jetë në kërkim.